Alush Gashi përkujton Xhemail Mustafën: 25 vjet nga vrasja që tronditi Kosovën e pasluftës

Para 10 muaj

Alush Gashi ka përkujtuar sot 25 vjetorin e vrasjes së Xhemail Mustafës, duke e quajtur ngjarjen si një prej momenteve që tronditi Kosovën e pasluftës.

Ai shkruan:

**“Po bëhen 25 vite nga vrasja e Xhemail Mustafës, ngjarja që tronditi Kosovën e pasluftës.

Xhema, miku im, shquhej për mençuri dhe guxim intelektual. Të dy ishim këshilltarë të mikut dhe prijësit të urtë, Presidentit Ibrahim Rugova.

I ngjanim shumë njëri-tjetrit dhe shpesh na ngatërronin. Më kujtohet një kohë fushate: unë isha në Mitrovicë, Xhema në Rahovec. Kur u takuam të nesërmen, shpërthyem të dy në të qeshur para se të flisnim. Xhema më tha: “Pas tubimit, njëri mu afrua dhe më tha: ‘Alush, të fala Xhemail Mustafës.” Duke qeshur i tregova se në Mitrovicë më kishin pershëndet në emër të Xhemailit. Në atë kohë, kur të gjithë e kishim qefinin me vete, këto ishin momente të rralla të gëzimit. Të gjithë ishim një.

Me Xhemën punuam së bashku për më shumë se një dekadë. Shpesh bisedonim te bagremi para Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, e shndërruar në seli të LDK-së dhe në shtëpi të pavarësisë së Kosovës. Aty, te bagremi, Xhema gjente një moment për një cigare, ndërsa unë për t’ia kujtuar se duhani duhej lënë. Ai qeshte dhe më thoshte: “Unë do ta lë duhanin, por thuaji edhe atij brenda”, duke aluduar për Ibrën, siç i referoheshim Presidentit Rugova. Pas një kohe, Xhema e la duhanin, por na la edhe neve, pa e pasur në plan dhe pikërisht kur na duhej më shumë.

Xhema ishte zëdhënësi i LDK-së, zëdhënësi i një lëvizjeje të mençur e të fuqishme për pavarësinë e Kosovës. Kur nuk arritën ta frikësojnë, e dërguan në përjetësi.

Sa më shumë kohë që kalon, aq më i fuqishëm bëhet kujtimi për të.”