Arrestohet në New York shqiptari i dënuar me 50 vjet burgim për tri vrasje

Para 5 ditë

Një 52-vjeçar shqiptar, i kërkuar ndërkombëtarisht që nga viti 2001 dhe i dënuar me dy vendime të veçanta me nga 25 vjet burgim për tri vrasje në qarkun e Shkodrës, është arrestuar në New York të SHBA-së.

Policia e Shtetit bëri të ditur se i arrestuari është Valentin Ftoni, i cili u lokalizua gjatë një operacioni të koordinuar mes autoriteteve shqiptare dhe tri agjencive federale amerikane.

Sipas autoriteteve, dyshohet se pas largimit nga Shqipëria, Ftoni ka përdorur dokumente të falsifikuara dhe identitete të rreme për të hyrë dhe qëndruar në mënyrë të paligjshme në SHBA.

Sipas dosjes gjyqësore, më 19 shtator 2000, në Ças të Velipojës, ai vrau dy shtetas, Gj. M. dhe A. M., për motive gjakmarrjeje. Për këtë ngjarje, më 28 shtator 2001, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër e dënoi me 25 vjet burgim.

Ndërsa më 12 gusht 2001, Ftoni kishte vrarë shtetasin G. T. Për këtë vrasje, në vitin 2008, e njëjta gjykatë e dënoi sërish me 25 vjet burgim.

Policia e Shtetit njoftoi se po bashkëpunon me autoritetet amerikane për përfundimin e procedurave të ekstradimit të tij në Shqipëri, ku duhet të vuajë dënimet e shqiptuara nga drejtësia.