Arta Bajrami po vjen me një risi të jashtëzakonshme në karrierën e saj muzikore.
Këngëtarja e njohur shqiptare do të publikojë së shpejti një bashkëpunim ndërkombëtar me grupin italian Stil Novo, në këngën e titulluar “La notte di San Lorenzo”, ose në shqip “Nata e Shën Lorencit” – një baladë romantike e mbushur me pasion dhe ndjeshmëri.

Kënga ngërthen emocione të forta dhe një atmosferë të thellë artistike, që vjen në përputhje të plotë me tematikën e natës magjike të Shën Lorencit.
Fragmentet e publikuara nga kënga dhe videoklipi kanë lënë përshtypje të veçantë, si për nga cilësia artistike, ashtu edhe për interpretimin emocional të dy artisteve.

Videoklipi është xhiruar në ambient detar, me pamje mahnitëse që përputhen në mënyrë perfekte me ritmet dhe frymën e këngës.
Ajo që e bën këtë projekt edhe më të veçantë, është fakti që Arta Bajrami këndon në italisht – diçka që publiku nuk është mësuar ta dëgjojë nga ajo më parë.
