Më 12 mars 1956 u lind përkthyesi letrar dhe publicist Avni Spahiu. I njohur si gazetar dhe kronikan nga “Rilindja” e viteve ’80 me shkrimet e tij si korespodent nga SHBA, Spahiu solli një publicistikë ndryshe nga ajo e kohës.
I njohur si drejtues i “Rilindjes”, i Radio Kosovës e më pas edhe diplomat (Spahiu ishte bashkëpunëtor dhe këshilltar i Presidentit Ibrahim Rugova dhe i pari ambasador i Kosovës në SHBA, më pas në Turqi), ai ju përkushtua fushës së përkthimit letrar dhe librave me temë nga publicistika dhe diplomacia.
Ka përkthyer mbi 30 vepra të botuar të letërsisë dhe mendimit perëndimor, ndër më të njohurat nga anglishtja “Majat e Shalës” të Rose Ëilder Lane (1994), “Pajtimi – Islami dhe Perëndimi i Benazir Butos, “Zbulimi i Lirisë” – Rose Wilder Lane, etj., si dhe përmbledhje të poezisë shqipe në anglisht, si “Do you Come from Chameria” (2005), “The Split Stone” (2006), “Teach me to Love (2007)”, etj. Ka përkthyer gjithashtu poezi të shkruara nga poetë britanikë dhe amerikanë. Ishte bashkëthemelues dhe nënkryetar i PEN Qendrës së Kosovës.
Në lëmin e publicistikës është autor i disa librave, prej të cilave “Fan Noli – Jeta në Amerikë” (2005 – botuar edhe në anglisht 2009), “Nobelistët e letërsisë” (2007), “Skica amerikane” (Libër esesh nga Shtetet e Bashkuara – 2015), “Faqe miqësie” – 2018), si dhe librin nga përvoja e tij diplomatike si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Kosovës në Uashington, “Misioni i parë”.
Muaj më parë, në bibliotekën “Hivzi Sulejmani” është zhvilluar një ngjarje letrare me protagonist Avni Spahiun dhe librin/inervistë nga Sali Bashota “Arti i bashkëbisedimit”.
Avni Spahiut i urojmë shëndet dhe përkushtim që të na dhurojë përkthime të reja letrare dhe libra me vlerë – që kërkohen nga lexuesit e bibliotekës “Hivzi Sulejmani”.
