Bajram Shala për incidentin: Belgini vetë u fut në përleshje, vrapoi 50 metra për t’u përfshirë

Para 1 vit

Gazetari sportiv dhe ish-zyrtari i FFK-së, Bajram Shala, ka komentuar incidentin e ndodhur gjatë një ndeshjeje futbolli, ku 15-vjeçari Belgin Jashari, nga komuniteti ashkali, u sulmua fizikisht në fushë – një rast që ka shkaktuar reagime të mëdha publike dhe politike.

Në emisionin ATV Context, Shala shprehu një qëndrim ndryshe nga pjesa më e madhe e opinionit, duke vënë në pikëpyetje rolin e Belgin Jasharit në incident. Ai theksoi se djaloshi ka vrapuar nga një distancë e largët për t’u përfshirë në përplasjen që ndodhi në fushë.

“A e keni pa se si Belgini vrapon prej anës tjetër komplet për t’u përfshi në atë incident? Edhe pastaj i kam dëgju disa prej prononcimeve të tij ku ai po doket shumë i pafajshëm… Pse shkove me hi në incident? Po vrapon 50 metra me u përfshi”, u shpreh Shala.

Deklarata e tij vjen në një kohë kur shumë qytetarë dhe figura publike, përfshirë presidenten e Kosovës, kanë dënuar incidentin si akt me motive të mundshme raciste.