Komisioni Evropian ka publikuar të martën Raportin e Progresit për Kosovën për periudhën 2024–2025, ku theksohet se vendi ka bërë përparim, edhe pse të kufizuar, në disa fusha.
Raporti nënvizon se ngërçi politik vazhdon të ndikojë në rrugëtimin evropian të Kosovës, duke ngadalësuar reformat dhe proceset e integrimit.
Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, e përshkroi vitin e kaluar si “të trazuar”, por vlerësoi qëndrueshmërinë e institucioneve të Kosovës në ruajtjen e rendit, paqes dhe demokracisë. Ai u bëri thirrje institucioneve të BE-së që të heqin masat kufizuese ndaj vendit.
Sipas Terras, Kosova ka treguar gatishmëri për bashkëpunim me BE-në dhe meriton një përgjigje me “të njëjtin guxim dhe qëndrueshmëri politike”.
Raporti do të shërbejë si bazë për vendimet e ardhshme të Bashkimit Evropian lidhur me procesin e integrimit të Kosovës.
