Emocione të forta dhe fjalë të ndjera u dëgjuan sot në Akademinë Përkujtimore për nder të Afrim Bunjakut, rreshterit të Policisë së Kosovës, i cili u vra dy vite më parë gjatë sulmit terrorist serb në Banjskë të Zveçanit.
Fjalimin më prekës të ditës e mbajti djali i heroit, Fatlum Bunjaku, i cili rrëfeu dhimbjen për humbjen e babait të tij, por edhe krenarinë për trashëgiminë që ai la pas.
“Sot jemi mbledhur këtu për të kujtuar babin tim, heroin e Kosovës, Afrim Bunjakun. Kanë kaluar dy vite nga ajo ditë e dhimbshme kur ai ra heroikisht, por plagët e mungesës së tij nuk shërohen kurrë”, tha Fatlumi.
Ai shtoi se ndonëse nuk është më fizikisht pranë tij, kujtimi i të atit jeton përmes kolegëve dhe qytetarëve që e respektojnë veprën e tij:
“Çdo mëngjes kur zgjohem, ndjej boshllëkun, e kujtoj buzëqeshjen dhe fjalët e tij. Edhe pse nuk është pranë meje, unë ndihem krenar që pata një baba si ai. Sa herë i kujtoj kolegët e tij, më kujtohet se babi im nuk ishte vetëm i imi, por i gjithë Kosovës.”
Akademia u mbajt në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve, familjarë, miq dhe qytetarë të shumtë që nderuan figurën e Afrim Bunjakut – tashmë Hero i Kosovës.
