Në përvjetorin e 27-të të rënies së Kolonel Ahmet Krasniqit, një prej figurave kyçe të rezistencës institucionale dhe të organizimit ushtarak gjatë luftës për lirinë e Kosovës, u organizua ceremonia për ndarjen e Çmimit të Lartë “Ahmet Krasniqi”.
Këtë vit, ky çmim iu nda kolonel Fuad Ramiqit, bashkëpunëtorit më të afërt të kolonelit Krasniqi, në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në shërbim të çështjes kombëtare.
Ceremonia u mbajt në kuadër të “Takimit Kombëtar të Plavë-Gucisë 2025”, me karakter panshqiptar, ndërballkanik dhe euroatlantik. Tematika e takimit ishte përqendruar në tri shtylla themelore: historia, identiteti dhe integriteti kombëtar.
Kolonel Fuad Ramiqi u vlerësua për qëndrimet e tij të palëkundura, angazhimin e vazhdueshëm në fushën ushtarake dhe qytetare, si dhe për veprimtarinë atdhetare të shtrirë në disa dekada, gjithmonë në funksion të lirisë, pavarësisë dhe shtetformimit të Kosovës.
Ndarja e këtij çmimi në përvjetorin e rënies së Kolonel Ahmet Krasniqit shërben si kujtesë dhe nderim për ata që i qëndruan besnikë idealeve,për liri dhe pavarësi.
