Hetimet për grabitjen e armatosur që ndodhi sot pranë qendrës tregtare Albi Mall po vazhdojnë me intensitet të lartë. Burime të IndeksOnline bëjnë të ditur se policia është fokusuar në veturën e djegur të grabitësve, e cila është gjetur në Hajvali të Prishtinës dhe po ekzaminohet nga hetuesit për prova të mundshme.
Pas grabitjes, autorët u larguan me një automjet Pick-Up në drejtim të Graçanicës, për ta djegur më pas veturën në mënyrë që të shkatërronin çdo gjurmë. Hetuesit policorë, në koordinim me Prokurorinë, po analizojnë vendin ku u dogj automjeti, me shpresën për të gjetur gjurmë të ADN-së, armëve apo objekteve tjera që mund të ndihmojnë në identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve.Ndërkohë, kontrollet dhe hetimet po vazhdojnë, ndërsa priten detaje të reja për këtë rast që ka tronditur kryeqytetin.
