Ngërçi institucional në Kuvendin e Kosovës po thellohet gjithnjë e më shumë, pasi edhe seanca e 14-të për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit përfundoi pa sukses. Kandidatja e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, sërish nuk arriti të sigurojë mbështetjen e nevojshme për të marrë drejtimin e legjislativit.
Përfaqësuesit e opozitës vazhdojnë të refuzojnë kandidaturën e Haxhiut, duke e konsideruar të papranueshme për të udhëhequr seancat parlamentare. Në këtë situatë bllokimi, më së shumti po humbin qytetarët e Kosovës, të cilët përballen me një realitet të rëndë ekonomik – çmime të larta që në shumë raste tejkalojnë ato të vendeve të Bashkimit Evropian, dhe varfëri të thellë në shtresat më të ndjeshme të popullsisë.
Ndërkohë, çdo seancë e pasuksesshme u kushton qytetarëve qindra mijëra euro. Deputetët, pavarësisht mungesës së rezultateve, marrin pagesa prej rreth 200 eurosh për seancë. Me 14 seanca të zhvilluara brenda një muaji e pak ditësh, buxheti i Republikës së Kosovës vazhdon të rëndohet, ndërsa 120 deputetë përfitojnë kompensime pa prodhuar zgjidhje institucionale.
Situata ka shkaktuar zhgënjim të thellë në publik dhe ka rikthyer në fokus debatin për përgjegjësinë politike dhe financiare të përfaqësuesve të zgjedhur.
