Parlamenti Evropian miraton rezolutën për Serbinë: Kërkesa të qarta për reforma dhe marrëveshje me Kosovën

Para 1 vit

Strasburg, 7 maj 2025 – Parlamenti Evropian (PE) ka miratuar sot një rezolutë të rëndësishme për Serbinë, me 419 vota pro, 113 kundër dhe 88 abstenime, në një seancë të mbajtur në Strasburg. Rezoluta është hartuar nga raportuesi i PE-së për Serbinë, eurodeputeti Tonino Picula.

“Raporti për Serbinë është votuar”, bëri të ditur Picula në rrjetin social X, duke shtuar se PE-ja ka dërguar “një mesazh të qartë dhe të fortë në lidhje me karakterin autokratik të qeverisë në Serbi, por edhe për rezistencën e guximshme ndaj regjimit”.

Rezoluta thekson se, pavarësisht njëfarë progresi, Serbia duhet të kapërcejë pengesa të mëdha në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE). Ndër çështjet kyçe të përmendura janë: përmirësimi i dialogut politik të brendshëm, reforma në fushën e sundimit të ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe përafrimi i plotë me politikën e jashtme të BE-së.

Një nga kushtet më të theksuara është arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Raporti, që reflekton edhe raportet e Komisionit Evropian për vitet 2023 dhe 2024, përfshin analizën e zhvillimeve të fundit në Serbi, përfshirë protestat studentore. Sipas PE-së, këto protesta tregojnë shqetësime serioze për gjendjen e demokracisë dhe sundimin e ligjit në vend.

Dokumenti shpreh shqetësim të thellë për probleme sistemike si kufizimet në liritë civile, mungesa e ndarjes së pushteteve, korrupsioni, mungesa e transparencës në institucionet publike dhe sfidat në mbrojtjen e mjedisit. Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe mungesës së llogaridhënies për projektet e mëdha infrastrukturore.