Pavel Durov trondit opinionin: “Kam mbi 100 fëmijë dhe do t’ua lë pasurinë time prej 17 miliardë dollarësh”

Para 1 vit

19 qershor 2025 – Themeluesi dhe CEO i aplikacionit të mesazheve Telegram, Pavel Durov, ka bërë një rrëfim befasues në një intervistë për revistën franceze Le Point, duke deklaruar se është baba i 106 fëmijëve dhe planifikon që pasurinë e tij, e vlerësuar në mbi 17 miliardë dollarë, ta ndajë barazisht mes tyre.

Durov, i cili njihet si një nga figurat më enigmatike të botës së teknologjisë dhe një mbështetës i fortë i privatësisë dhe decentralizimit, tregoi se ka 6 fëmijë biologjikë, ndërsa të tjerët janë rezultat i donacioneve të spermës që ka bërë në më shumë se 12 vende të botës.

“Nuk është thjesht eksperiment personal. E shoh si një detyrë qytetare për të kontribuar në përmirësimin e trashëgimisë gjenetike dhe për të ndihmuar njerëz që nuk mund të bëhen prindër”, është shprehur Durov në intervistë.

Ai ka sqaruar se plani i tij është që pasuria të ndahet në mënyrë të barabartë mes të gjithë fëmijëve, por çdo trashëgimi do të bëhet e aksesueshme vetëm pas vitit 2055, për të siguruar që ata të arrijnë pavarësi dhe pjekuri personale para se të përballen me pasuri të mëdha.

Ndërkohë, ai ka bërë të ditur se do të “open-source”-ojë profilin e tij gjenetik (DNA-në), për të lehtësuar identifikimin dhe lidhjen e fëmijëve mes vete në të ardhmen.

Reagime dhe debat publik

Deklarata e Durovit ka ngjallur reagime të përziera në opinionin publik dhe në rrjetet sociale. Biznesmeni Elon Musk, i cili është vetë baba i mbi 10 fëmijëve, komentoi me shaka duke e quajtur këtë numër “rookie numbers” në krahasim me figurat historike si Genghis Khan.

Ndërsa disa e kanë përshëndetur iniciativën si një akt të guximshëm dhe human, të tjerë kanë ngritur pyetje etike dhe sociale, mbi ndikimin e këtij veprimi në jetën e fëmijëve dhe në konceptin e familjes në përgjithësi.