Menjëherë pasi ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, e ka kritikuar presidenten Osmani lidhur me kërkesën e saj për Qeverinë së Kosovës që të pezullojë tarifat e importit për të gjitha produktet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka reaguar këshilltari i presidentes, Bekim Kupina.
Kupina përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Hekuran Murati është njeriu i fundit në këtë shtet që mund të na flasë për seriozitet.
“Një njeri që ende nuk e ka kuptuar që udhëheqja e shtetit është punë 24/7, e jo që përfundon në orën 16:00, një njeri që ende nuk e kupton që sipas Kushtetutës dhe komentarit të Kushtetutës, objektivat e politikës së jashtme i përcakton institucioni i Presidencës, që nuk e kupton që këto gjëra nuk janë thjesht veprime ekonomike, por veprime strategjike në raport me aleatin tonë strategjik e ekzistencial, një njeri që mendon se me fyerje e ofendime mund të arrijë diçka në interes të Kosovës, pas një letre institucionale e mirë të studiuar që Presidentja ia ka drejtuar Kryeministrit bazuar në rregullat e komunikimit shtetëror e mirësjelljes e respektit ndërinstitucional”. ka shkruar Kupina,
Tutje Kupina është shprehur “E turpshme, skandaloze, me mungesë të respektit bazik institucional e me mungesë të njohurive bazike se si udhëhiqet shteti e mbi të gjitha me mungesë të gatishmërisë minimale që të punohet e bashkëpunohet në interes të Kosovës është deklarata e tij e sotme”.
“Hiqni tarifat e paarsyeshme ndaj aleatit tonë kryesor, e leni deklaratat e turpshme dhe fëmijërore”, ka shkruar ai.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pasi presidentja Vjosa Osmani i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që të pezullojë tarifat e importit për të gjitha produktet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHhA).
Murati, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “sot pas orarit të rregullt të punës, në lajme lexova që Presidentja e vendit i paska bërë kërkesë Qeverisë që të pezullojë tarifat ndaj produkteve me origjinë nga ShBA-të”.
“Kërkesa në email ishte dërguar në adresë të Qeverisë në 17:39, ndërkaq kjo gjë ishte bërë publike në rrjetin social X në 17:42, veç 3 minuta më vonë”, ka shkruar Murati.
Ai ka thënë se “secili shtet serioz, këto çështje i trajton larg mediave, dhe publiku njoftohet kur të merret vendimi. Për më tepër, politikat fiskale bien në fushëveprimin e ekzekutivit, konkretisht ministrisë përgjegjëse për financa”.
Ndryshe, presidentja Osmani i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që të pezullojë tarifat e importit për të gjitha produktet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Në një postim në platformën X, Vjosa Osmani ka theksuar se ky hap do të forcojë marrëdhëniet ekonomike me aleatin më të afërt të Kosovës dhe do të dërgojë një mesazh të qartë për gatishmërinë e vendit drejt një partneriteti më të fuqishëm me SHBA-në.
