Presidenti i Kubës: Izraeli me mbështetjen e ShBA-së synon ta shkatërrojë popullin palestinez

Para 1 vit

Presidenti i Kubës, Miguel Diaz Canel, deklaroi se Izraeli me mbështetjen e ShBA-së po mundohet ta zhdukë popullin e Palestinës.

Canel në postimin e tij në rrjetin social X publikoi një foto ku shihen banorët e Gazës duke u zhvendosur dhe dënoi ShBA-në dhe Izraelin.

“Izraeli vazhdon ta shkatërrojë popullin palestinez në Gaza me pandëshkueshmëri të plotë të ofruar nga ShBA-ja. Po bombardon spitalet, kampet e refugjatëve dhe objektet e Kombeve të Bashkuara (OKB) në shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar humanitar”, tha presidenti kuban.

Canel, i cili kritikoi ShBA-në edhe në postimin e tij më 19 mars, tha: “Me mbështetjen e plotë të qeverisë amerikane, Izraeli ka rifilluar bombardimet ndaj Gazës. Ata synojnë ta shkatërrojnë popullin palestinez me çdo kusht dhe me brutalitet në rritje. Ky gjenocid nuk mund të mbetet i pandëshkuar”.