Profesori Gëzim Qerimi reagon ashpër ndaj Hysamedin Ferajt: “Feja nuk është parti, Albin Kurti nuk është pejgamber

Para 11 muaj

Profesori universitar Gëzim Qerimi ka reaguar ndaj deklaratës së Hysamedin Ferajt, i cili kishte thënë se “të thuash e votoj Kurtin por jo kandidatin, është si të thuash besoj Zotin por jo Muhamedin ose Krishtin”.

Në reagimin e tij, Qerimi e cilëson këtë krahasim si thellësisht të gabuar, injorant dhe ofendues për çdo besimtar që njeh e respekton kufijtë mes besimit dhe politikës.

“Ky krahasim është ateist në frymë dhe komunist në thelb, sepse përpiqet ta zëvendësojë fenë me politikën dhe profetin me një udhëheqës partiak. Kjo është pikërisht logjika e regjimeve ideologjike që në mungesë të Zotit shpiknin ‘udhëheqës të shenjtë’ për t’i zëvendësuar vlerat hyjnore me besnikëri njerëzore.

Feja nuk është parti. Pejgamberët nuk janë kandidatë. Zoti nuk është lider partie”, shkruan Qerimi.

Sipas tij, për besimtarin mysliman, fjalia e Ferajt është fyerje direkte ndaj dy shtyllave të imanit: besimit në Zot dhe besimit në të dërguarit e Tij.

“Të krahasosh ndarjen elektorale me aktin e shenjtë të besimit është përbuzje ndaj besimit vetë. Kjo nuk është metaforë ‘e mençur’, por shkelje e kufirit të shenjtërisë që tregon mosnjohje të thellë të fesë islame dhe mungesë respekti për çdo besimtar të Zotit,” thekson ai.

Në vijim, Qerimi nënvizon se në demokraci qytetari nuk është rob i liderit, por vlerësues i tij.

“Ai ka të drejtë të vlerësojë Kurtin si kryeministër, por të mos votojë kandidatin lokal për shkak të dështimeve, arrogancës apo paaftësisë së tij. Ky është pluralizëm, jo mungesë besimi,” shkruan ai, duke e cilësuar kërkesën për bindje të verbër ndaj liderit si mendësi totalitare.

Në përfundim, Qerimi e quan deklaratën e Ferajt rrëshqitje ideologjike dhe mungesë respekti për fenë, besimin dhe qytetarinë, duke e mbyllur reagimin me fjalët:

“Feja nuk është Parti. Albin Kurti nuk është pejgamber. Dhe votuesit e lirë nuk janë as ithtarë, as besimtarë të një lideri njerëzor.”

Ja dhe postimi i profesorit Gëzim Qerimi:

Reagim ndaj deklaratës së Hysamedin Ferajt

Deklarata e Hysamedin Ferajt, ku thotë se “të thuash e votoj Kurtin por jo kandidatin, është si të thuash besoj Zotin por jo Muhamedin ose Krishtin”, është një krahasim thellësisht i gabuar, injorant dhe ofendues për çdo besimtar që njeh e respekton kufijtë mes besimit dhe politikës.

Së pari, ky krahasim është ateist në frymë dhe komunist në thelb, sepse përpiqet ta zëvendësojë fenë me politikën, dhe profetin me një udhëheqës partiak. Kjo është pikërisht logjika e regjimeve ideologjike që në mungesë të Zotit shpiknin “udhëheqës të shenjtë” për t’i zëvendësuar vlerat hyjnore me besnikëri njerëzore.
Feja nuk është parti. Pejgamberët nuk janë kandidatë. Zoti nuk është lider partie.

Së dyti, për besimtarin mysliman, fjalia e Ferajt është një fyerje direkte ndaj dy shtyllave të imanit: besimit në Zot dhe besimit në të dërguarit e Tij. Të krahasosh ndarjen elektorale me aktin e shenjtë të besimit është përbuzje ndaj besimit vetë.
Kjo nuk është metaforë “e mençur”, por shkelje e kufirit të shenjtërisë, që tregon mosnjohje të thellë të fesë islame dhe mungesë respekti për çdo besimtar të Zotit.

Së treti, në demokraci, qytetari nuk është rob i liderit, por vlerësues i tij. Ai ka të drejtë të vlerësojë Kurtin si kryeministër, por të mos votojë kandidatin lokal për shkak të dështimeve, arrogancës apo paaftësisë së tij. Ky është pluralizëm, jo “mungesë besimi”.
Të kërkosh që qytetari ta votojë një njeri vetëm se e ka emëruar “udhëheqësi”, është mendësi totalitare, që bie ndesh me çdo parim të lirisë politike.

Në përfundim, Hysamedin Feraj me këtë krahasim ka dëshmuar jo mendim filozofik, por rrëshqitje ideologjike dhe mungesë respekti për fenë, besimin dhe qytetarinë.
Feja nuk është Parti. Albin Kurti nuk është pejgamber.
Dhe votuesit e lirë nuk janë as ithtarë, as besimtarë të një lideri njerëzor.