Kënga ikonike “A vritet pafajësia” e këngëtares së njohur shqiptare Leonora Jakupi do të marrë jetë në një format të ri artistik – në ekranin e madh. Producenti dhe regjisori i njohur danez, Peter Anthony, i njohur për punën e tij në projekte ndërkombëtare të suksesshme, ka shprehur admirimin e thellë për artisten shqiptare, duke e cilësuar atë si “femra më e bukur në botë”.
Në një intervistë për “Kosova Live”, Anthony ka treguar për takimin emocional me Leonorën, ku përveç bukurisë së saj, e ka prekur thellësisht edhe historia personale që ajo ka ndarë me të.
“Femra më e bukur në botë që kam parë ndonjëherë. E pyeta për babain e saj, më mbajti dorën dhe filloi të qajë gjatë rrëfimit. Mendova me vete: kemi një yll përballë nesh, dhe ka diçka dramatike, personale, që askush nuk e vëren përveç saj”, u shpreh regjisori danez.
Anthony ka zbuluar gjithashtu se është duke punuar për realizimin e një filmi ndërkombëtar të frymëzuar nga kënga “A vritet pafajësia”, i cili, sipas tij, ka potencialin për të qenë një kandidat serioz për çmimin Oscar.
Ky projekt filmik pritet të jetë një homazh i fuqishëm për historinë dhe emocionet që mbart muzika e Leonora Jakupit, ndërsa vetë artistja pritet të luajë një rol kyç në realizimin e tij.
