Shqiptarja Thëllenza Krasniqi është emëruar Sekretare e Shoqatës së Kombeve të Bashkuara të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (UNA-USA), dega në Westchester.
Lajmi është bërë i ditur nga familjarët e saj, të cilët përmes një postimi në rrjetet sociale kanë shprehur krenarinë për këtë arritje dhe për angazhimin e saj të vazhdueshëm në fushën e të drejtave të njeriut, drejtësisë dhe barazisë.
“Jam jashtëzakonisht krenare për motrën time, Thëllenzën, dhe për gjithçka që ajo vazhdon të arrijë. Përkushtimi i saj ndaj të drejtave të njeriut, drejtësisë dhe barazisë është vërtet frymëzues”, thuhet në postim.
Sipas familjarëve, emërimi i saj në këtë pozitë përfaqëson një vlerësim për punën dhe kontributin e saj në çështjet që lidhen me të drejtat e njeriut dhe angazhimin qytetar në Shtetet e Bashkuara.
Shoqata e Kombeve të Bashkuara të SHBA-së (UNA-USA) është një organizatë që promovon misionin dhe vlerat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara përmes degëve të saj në komunitete të ndryshme amerikane.
