Suedia ka nisur një program të gjerë për modernizimin e rreth 64,000 strehimoreve civile të ndërtuara gjatë Luftës së Ftohtë, në kuadër të strategjisë së re të mbrojtjes civile. Ky vendim vjen në një kohë kur tensionet me Rusinë janë rritur ndjeshëm, veçanërisht pas anëtarësimit të Suedisë në NATO në mars 2024.
Qeveria suedeze ka ndarë 100 milionë krona (rreth 7.7 milionë euro) për këtë projekt, i cili përfshin inspektimin, riparimin dhe përditësimin e sistemit të ventilimit, filtrave mbrojtës nga agjentët kimikë e radiologjikë dhe pajisjeve të tjera thelbësore për mbrojtje në rast emergjence.
Zyrtarët suedezë theksojnë se qëllimi është që strehimoret të jenë funksionale për mbrojtjen e popullsisë civile në rast të një krize apo sulmi të mundshëm. Rinovimet pritet të zgjasin 2 deri në 3 vjet, me fokus fillestar në zonat urbane strategjike.
Ky projekt është pjesë e strategjisë “total defense”, që kërkon përgatitje të koordinuar mes institucioneve shtetërore dhe qytetarëve, në mënyrë që vendi të jetë më rezistent ndaj kërcënimeve të jashtme.
