Thesar dokumentar nga Perandoria Osmane në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës

Para 9 muaj

Biblioteka Kombëtare e Kosovës është pasuruar me koleksionin historik “Takvim-i Vekaji” (Kalendari i ngjarjeve), gazeta e parë zyrtare e Perandorisë Osmane, e themeluar në vitin 1831 gjatë sundimit të Sulltan Mahmutit II.

Ky botim shërbente si organ shtetëror për publikimin e ligjeve, dekreteve perandorake, emërimeve administrative dhe njoftimeve zyrtare, duke dokumentuar në mënyrë kronologjike ngjarje me rëndësi politike dhe shtetërore. Ekzemplarët e siguruar nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës përfshijnë periudhën nga viti 1831 deri në vitin 1922.

Koleksioni përmban akte zyrtare shtetërore, si dhe, në disa raste, përmbledhje të diskutimeve të Parlamentit të Perandorisë Osmane. Në këto dokumente evidentohet edhe pjesëmarrja e deputetëve shqiptarë, ndër ta Hasan Bej Prishtina, Hamdi Bej Preveza, Sait Efendi Shkupi, Fuad Pasha Prishtina, Bedri Bej Preveza dhe Riza Bej Shkodra.

Ky fond përbën një burim me vlerë të veçantë për studiuesit dhe historianët, duke ndihmuar në hulumtimin e historisë institucionale osmane dhe rolit të elitës politike shqiptare në jetën parlamentare të asaj kohe.