Ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë Jugosllave, Nebojsha Pavkoviq, i dënuar për krime lufte në Kosovë, ka vdekur në moshën 79-vjeçare në Beograd. Lajmi është konfirmuar nga Radio Televizioni i Serbisë.
Pavkoviq ishte dënuar nga Tribunali i Hagës me 22 vjet burg për krime lufte kundër popullsisë civile shqiptare gjatë vitit 1999. Nën komandën e tij, ushtria jugosllave kreu operacione ku u vranë dhe u dëbuan mijëra civilë shqiptarë, përfshirë gra, fëmijë dhe pleq.
Ai vuajti dënimin në një burg në Finlandë dhe u lirua më 28 shtator të këtij viti për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, me kërkesë të Qeverisë së Serbisë. Pas lirimit, trajtimin e vazhdoi në Akademinë Ushtarake Mjekësore në Beograd, ku edhe vdiq.
Gjatë luftës në Kosovë, Pavkoviq ishte një nga figurat kryesore të aparatit ushtarak serb dhe një ndër përgjegjësit kryesorë për krimet e kryera ndaj popullsisë civile shqiptare. Ai mbante funksione të larta edhe pas luftës, si shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave nga viti 2000 deri më 2002.
Dënimi i tij në Hagë është një ndër rastet më të rëndësishme që dokumentojnë krimet e kryera ndaj shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë. Vdekja e tij nuk ndryshon përgjegjësinë historike e ligjore për krimet që ka kryer.
